“Një rezultat absolutisht brilant”.
Gazeta britanike “Financial Times” njofton se Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) e vlerëson dëmin e shkaktuar nga sulmi kundër bazave ushtarake ajrore ruse në më shumë se 7 miliardë dollarë dhe pretendon se janë goditur 34 përqind e raketave strategjike ruse me rreze të gjatë veprimi.
Një zyrtar ukrainas tha se avionët “po digjeshin” në aeroportin Belaja pranë Sredni në juglindje të Siberisë, rreth 5500 kilometra në lindje të kufirit ukrainas, në bazën ajrore Olenja në gadishullin Kola pranë Murmanskut, në bazën ajrore Dyagilevo 200 kilometra në juglindje të Moskës dhe në pistën e Ivanovos, 300 kilometra në verilindje të kryeqytetit rus.
Bëhet fjalë, mes tjerash, për bombardues me rreze të gjatë veprimi të tipit Tu-95 dhe Tu-22 M3. Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski e quajti aksionin “një rezultat absolutisht brilant”.
Autoritetet ukrainase njoftuan se nga e shtuna në të dielën Rusia kreu sulmin më të madh që nga fillimi i luftës, me 472 dronë. Në një sulm ndaj një qendre stërvitore të ushtrisë ukrainase u vranë dymbëdhjetë ushtarë dhe u plagosën gjashtëdhjetë të tjerë. Komandanti i forcave tokësore ukrainase, gjeneralmajori Mihajlo Drapati, dha më pas dorëheqjen.








