Në monumentin ikonik të pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, pas “burgosjes” simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur” është vendosur mesazh kundër Gjykatës Speciale, e ku disa aktivistë kanë vendosur 5000 emblema magnetike të UÇK-së.
Përfaqësuesi i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli theksoi edhe rëndësinë e këtij mesazhi.
“Sapo e kemi përfunduar një aktivitet simbolik, më mirë me thënë, këta vullnetarë të mrekullueshëm mbrapa e kanë përfunduar për me i përçuar dy mesazhe. Do të thotë, mesazhin që ‘Guerila’ është brenda një burgu të interpretimit politik, edhe rrjedhimisht edhe shteti i Kosovës do të thotë ajo që e përfaqëson këtu NEWBORN-i është brenda atij burgu dhe është e ngulfatur në mënyrën se qysh atje flitet për Kosovën dhe ‘Guerilën’. Do të thotë, për ma shumë e shpjegon edhe Eliza, se është ‘faji’ i saj për përpjekjen e këtij aktiviteti për të përçuar mesazh”, tha ai.
Edhe Eliza Hoxha ka treguar mesazhin që përçuan pak orë para nisjes së marshit “Drejtësi, jo politikë”.
“Zakonisht NEËBORN-in e shohim me 17 shkurt, gjithmonë vjen me një kuptim të ri, me ngjyra plot, edhe ato lidhen me rrëfimet e së kaluarës që i bien te gjeneratat e reja për momentin, edhe reflektimin mbi shtetin e Kosovës, por edhe me synimet për të ardhmen. Dhe ne, mbi atë se çfarë reprezanton NEWBORN këtë herë që është edhe 18 vjetori i shtetësisë së Kosovës jemi munduar që të punojmë mbi të edhe thjesht si ‘Guerila e re’ e tre artistëve dhe kreativëve të Kosovës, të interpretojmë momentet në të cilat faktikisht gjendet populli i Kosovës. Historia e Kosovës, e shtetit të Kosovës dhe e njerëzve që kanë luftuar për çlirimin e saj dhe për synimin shekullor që ky vend të jetë i pavarur dhe ne të vendosim për fatin tonë. Të njëjtët njerëz sot janë në proceset e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe atje nuk janë vetëm si individë, por në fakt janë edhe si krerë të shtetit të Kosovës. Ata kanë shpallur pavarësinë e Kosovës, kanë qenë në institucione kyçe të Kosovës. Kështu që për ne kuptimi është i dyfishtë, dhe këtë herë po ashtu edhe NEWBORN-i vjen me kuptim dual dhe të dyfishtë faktikisht për ditën e sotme”, tha ajo.










