Ndonëse është shumë ngushtë me afatet kohore, shefi i Qeverisë së Kosovës dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ende s’e ka bërë të qartë rrugën që do të ndjek për ta bërë Kosovën me president të ri, nëse do ta propozojë përsëri Vjosa Osmanin, apo nëse do të procedojë me një emër të ri për president.
Pavarësisht paralajmërimit për nisje të konsultave me parti politike për të gjetur konsensus për zgjedhjen e peridentit të ri, deri sot ende s’ka pasur ndonjë veprim të kreut të LVV-së në drejtim të partive të tjera.
Kryetarja e NDS-së, Emilija Rexhepi, në një përgjigje ka thënë se ende s’kanë folur me kryeministrin Albin Kurti për një çështje të tillë.
“Jo, ende s’kemi folë”, ka thënë ajo shkurt.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjithashtu ka thënë se s’është në dijeni të ndonjë ftese të Kurtit për AAK-në rreth çështjes së konsultave për temën e presidentit.
“Jo, me sa e di unë”, ka thënë Tahiri shkurt.
Koha e fundit kur duhet të zgjidhet presidenti apo presidentja e re është data 5 mars 2026.
Eguen Cakolli nga KDI ditë më parë ka thënë se nëse nuk bëhet zgjidhje për këtë çështje deri në këtë datë, vendi shkon në zgjedhje të reja.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, deri tani ka shfaqur hapur ambiciet e saj për t’u rizgjedhur si presidente edhe për një mandat.
Partitë opozitare deri më tani kanë shprehur gatishmëri për konsulta rreth emrit të presidentit.
Nga AAK kanë thënë se një propozim nga familja Jashari do të ishte nder për Kosovën.
Nga LDK ndërkohë kanë thënë e janë të gatshëm për konsulta dhe madje të propozojnë edhe një emër të tyre për president.









