Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 36-vjetorin e rënies së tyre.
Në një postim në ‘Facebook’, Krasniqi ka theksuar se vizita e tij nuk ishte vetëm për të vendosur lule, por për të rikujtuar dhe rikonfirmuar amanetin që ata lanë pas.
“Tek varret e dy heronjve tanë, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, jo për të vendosur vetëm lule, por për të rikonfirmuar se amaneti i tyre jeton, në kujtesën tonë, në veprën tonë dhe në rrugën që ndjekim për një Kosovë të lirë, të pavarur e të zhvilluar,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se edhe pas 36 vitesh, idealet e tyre mbeten po aq të freskëta sa në ditën e rënies, duke i përshkruar si shembuj të bashkimit të fjalës me pushkën dhe të dashurisë ndaj atdheut mbi frikën nga vdekja.
“Fryma e tyre u bë udhërrëfyese për brezin që më vonë u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi e përjetshme Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut!” ka shkruar tutje Krasniqi.









