Një histori e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane, pasi qindra shezlongje të zhdukura nga një kompleks rekreativ në Itali janë identifikuar në një plazh në Shqipëri, gati dy vjet pas vjedhjes.
Bëhet fjalë për 350 shezlongje luksoze, me një vlerë të përgjithshme rreth 45 mijë euro, të cilat u vodhën në qershor të vitit 2024 nga pishina “Onde Chiare” në Reggio Emilia. Pavarësisht hetimeve të zhvilluara nga autoritetet italiane, rasti mbeti pa autorë dhe pa gjurmë të pajisjeve.
Zhvillimi i papritur erdhi falë një turisteje, e cila gjatë pushimeve në zonën e Capo Rodonit, pranë Durrësit, vuri re shezlongje me logon karakteristike të kompleksit italian. Ajo njoftoi pronarët, të cilët konfirmuan se bëhej fjalë për pajisjet e tyre të vjedhura.
Pas këtij zbulimi, pronarët angazhuan një avokat në Shqipëri për të ndjekur procedurat ligjore, por deri më tani nuk kanë arritur t’i rimarrin shezlongjet.
“E dimë se ku ndodhen, por edhe pas dy vitesh nuk kemi gjetur një mënyrë për t’i rikthyer,” është shprehur pronari i kompleksit, Enrico Cavazzoni, për mediat italiane.
Sipas raportimeve, shezlongjet vazhdojnë të përdoren nga pushuesit në plazhin ku janë vendosur, ndërsa çështja mbetet ende pa një zgjidhje përfundimtare.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në Itali dhe në rrjetet sociale, duke u cilësuar si një nga historitë më të pazakonta të këtij sezoni turistik.








