Një rast i rëndë dhune në familje ka ndodhur në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, ku Suzana dyshohet se është sulmuar nga babai i saj, duke pësuar lëndime të rënda trupore.
Ngjarja ka ndodhur më 8 gusht 2025, rreth orës 19:00, pas një mosmarrëveshjeje në familje.
I dyshuari, Muharrem Tahiri, dyshohet se e ka goditur vajzën me një mjet të fortë, duke i thyer një gisht të dorës.
Viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore në emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë dhe më pas është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në spitalin e Mitrovicës.
I dyshuari është arrestuar dhe, fillimisht, është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Më 9 gusht, Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega në Vushtrri, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij. Ai është dërguar në Qendrën e Paraburgimit, ndërkohë që do vijojnë hetimet.









