“Përbindëshi i Firences”, që po transmetohet në platformën Netflix, ofron një vështrim dramatik mbi vrasjet dekada më parë, duke ndjekur disa të dyshuar në këtë rast.
I ashtuquajtur nga media si “Përbindëshi i Firences”, ka vrarë të paktën 16 persona midis viteve 1960 dhe 1980, duke shënjestruar kryesisht çiftet e reja. Pavarësisht arrestimeve dhe dënimeve të shumta, çështja mbetet zyrtarisht e pazgjidhur.
Si filluan vrasjet?
Seria e vrasjeve të “Përbindëshit të Firences” filloi në gushtin e vitit 1968, kur një grua shtëpiake e quajtur Barbara Loçi dhe Antonio Lo Bianko, me të cilin ajo kishte një lidhje jashtëmartesore, u qëlluan për vdekje me një pistoletë të kalibrit 22 në periferi të qytetit.
Çifti u sulmua në makinën e tyre të parkuar, teksa djali 6-vjeçar i Loçit po flinte në sediljen e pasme. Bashkëshortit i Barbarës, Stefano Mele, u dënua për vrasjet e tyre në vitin 1970, por u lirua më vonë, teksa vrasjet vazhduan edhe gjatë kohës që ai ishte në burg.
Vrasësi goditi sërish në shtatorin e vitit 1974, duke vrarë çiftin e adoleshentëve Paskuale Xhentilkore dhe Stefania Petini. Ata u gjetën të qëlluar dhe masakruar me thikë në makinën e Xhentilkores, e cila ishte parkuar pranë një klubi në verilindje të Firences.
Trupi i Petinit ishte gjymtuar seksualisht, ashtu siç do të ndodhte me shumë viktima të tjera femra të “Përbindëshit të Firences”.
Kur e kuptoi policia se ekzistonte një vrasës serial?
Ndërsa vazhdonin vrasjet e tmerrshme, banorët e Firences dhe rrethinave u përfshinë nga paniku. Kaluan disa vite para se vrasësi të shfaqej përsëri në vitin 1981, duke sulmuar dy çifte të fejuarish: Xhovani Foxhi e Karmela De Nuçio, dhe Stefano Baldi dhe Suzana Kambi.
Qershorin e ardhshëm, mekaniku Paolo Mainardi dhe rrobaqepësja Antonela Miljorini u gjetën të qëlluar dhe masakruar me thikë. Edhe pse Mainardi ishte ende gjallë kur policia mbërriti në vendngjarje, ai vdiq në spital nga plagët e marra. Vdekja e tyre, i nxiti autoritetet të bënin një lidhje me të gjitha rastet.
A ishin çifte të gjitha viktimat?
Ndërsa shumica e viktimave përbëheshin nga çifte romantike, kishte një përjashtim. Studentët gjermanë Vilhelm Mejer dhe Jens-Uve Rysh, që të dy të rinj, u qëlluan dhe u vranë në shtator të vitit 1983 ndërsa flinin në makinën e tyre.
Autoritetet dyshonin se vrasësi e ngatërroi Rysh me një grua, për shkak të flokëve të tij të gjatë. “Përbindëshi i Firences” shpejt e rifilloi mënyrën e tij të veprimit, duke vrarë një çift tjetër në korrikun e vitit 1984.
Këtë herë, fatkeqët ishin studenti Klaudio Stefanaçi dhe baristja Pia Xhilda Rontini. Ata u qëlluan dhe u therën me thikë në makinën e Stefanaçit. Trupit të Rontinit i ishte marrë njëri nga gjinjtë, ndërsa ishte gjymtuar rëndë në organin gjenital.
Kur ndaluan vrasjet e “Përbindëshit të Firences”?
Vrasjet e fundit të njohura ndodhën në shtator të vitit 1985, kur një çift i ri francez, Zhan Mishel Kraveishvili dhe Nadin Maurio, u qëlluan dhe u therën me thikë ndërsa po bënin kamping në jug të Firences. Pasi u gjetën trupat e tyre, zyra e prokurorit mori një pako që përmbante një letër tallëse nga vrasësi, si dhe një pjesë të gjoksit të Mauriot.
Kush u dënua për vrasjet?
Përveç Meles, shumë të dyshuar të tjerë u arrestuan dhe u dënuan për vrasjet brutale. Por më i njohuri ishte punëtori italian Pietro Paçiani. Një përdhunues dhe vrasës i dënuar, Paçiani kishte vuajtur tashmë 13 vjet burg, kur policia e arrestoi atë në vitin 1994 për vrasjet e “Përbindëshit të Firences”.
E vetmja provë fizike kundër tij ishte një plumb i kalibrit 22 i gjetur në kopshtin e shtëpisë së tij. Megjithatë, Paçiani u dënua për 7 nga 8 vrasjet e dyfishta, përpara se dënimi i tij të rrëzohej dy vjet më vonë, në vitin 1996.
U urdhërua një proces i ri, por ai vdiq përpara se të mund të rigjykohej. I bindur se Paçiani kishte bashkëpunëtorë, policia arrestoi në vitin 1998 miqtë e tij Mario Van, Xhankarlo Lotti dhe Xhovani Fagi.
Vani kishte qenë dëshmitar në gjyqin e Paçianit, gjatë të cilit ai pretendoi se të dy burrat ishin thjesht “shokë pijesh”. Vani dhe Loti u shpallën përfundimisht fajtorë, pasi Loti u rrëfye duke e pranuar fajin, dhe në vitin 2000 u dënuan secili për 4 nga 8 vrasjet e dyfishta.
A do të rihetohet çështja?
Në marsin e vitit 2022, Valter Biskoti, avokati i 3 nga familjet e viktimave, pretendoi se kishte “mospërputhje” në rrëfimin e Lotit, dhe bëri thirrje për rihapjen e çështjes. “Ne po kërkojmë të vërtetën, një hetim të ri, sepse jemi të bindur se ka elementë në dosjet e vjetra të çështjes që janë anashkaluar gabimisht”- tha Biscotti për AFP-në.
Dy vjet më vonë, në gusht 2024, eksperti Lorezo Iovino studioi analizën e ADN-së nga vendet e krimit dhe gjeti të njëjtin grup ADN-je në plumbat e gjetur në tre nga vrasjet e dyfishta.
Ndërsa origjina e mostrës së ADN-së është e panjohur, ajo mund të jetë çelësi për zbardhjen e çështjes. Seriali i ri me 4 pjesë i Netflix, krijuar nga Leonardo Fazoli dhe Stefano Solima, është një version i dramatizuar i hetimit të çështjes, që mbetet ende e hapur.








